BibleDatabase

FREE Bibles and Bible Study Software Downloads Christian Web Hosting

BibleDatabase

 

 

  Christian Web Hosting
Christian Web Hosting
 
 

 

SITE NAVIGATION - CHOOSE A LINK
HOME DOWNLOADS MESSAGE BOARD BIBLE SEARCH LINK TO US WEBMASTER TOOLS
HELP MP3 BIBLE TELL A FRIEND ONLINE BIBLES WHAT'S NEW CHRISTIAN LINKS
SITE MAP SCREENSHOT GUEST BOOK BELIEF CHRISTIAN WEB HOSTING ADD URL

Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Daniel 4

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12]

4:1 "Mbreti Nebukadnetsar tërë popujve, tërë kombeve dhe gjuhëve, që banojnë mbi gjithë dheun: Paqja juaj qoftë e madhe.

4:2 M'u duk mirë t'i bëj të njohura shenjat dhe mrekullitë që Perëndia Më i Lartë ka kryer për mua.

4:3 Sa të mëdha janë shenjat e tij dhe sa të fuqishme mrekullitë e tij! Mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme dhe sundimi i tij vazhdon brez pas brezi.

4:4 Unë, Nebukadnetsari, isha i qetë në shtëpinë time dhe i gëzuar në pallatin tim.

4:5 Pashë një ëndërr që më tmerroi; mendimet që pata në shtratin tim dhe vegimet e mendjes sime më tmerruan.

4:6 Kështu dhashë urdhër që të sillnin para meje gjithë të diturit e Babilonisë, që të më bënin të njohur interpretimin e ëndrrës.

4:7 Atëherë erdhën magijstarët, astrologët, Kaldeasit dhe shortarët, të cilëve u tregova ëndrrën, por ata nuk mundën të më bënin të njohur interpretimin e saj.

4:8 Më në fund erdhi para meje Danieli, i quajtur Beltshatsar nga emri i perëndisë tim dhe tek i cili është fryma e perëndive të shenjta, dhe unë ia tregova ëndrrën:

4:9 Beltshatsar, kreu i magjistarëve, sepse unë e di që fryma e perëndive të shenjta është te ti dhe që asnjë sekret nuk të shqetëson, tregomë vegimet e ëndrrës që kam parë dhe interpretimin e saj.

4:10 Vegimet e mendjes sime kur isha në shtratin tim janë këto: Unë shikoja, dhe ja një dru në mes të dheut, lartësia e të cilit ishte madhe.

4:11 Druri u rrit dhe u bë i fortë; maja e tij arrinte në qiell dhe ai mund të shihej nga skajet e gjithë dheut.

4:12 Gjethnaja e tij ishte e bukur, fryti i tij i bollshëm dhe ai kishte ushqim për të gjithë; poshtë tij gjenin hije kafshët e fushave, shpendët e qiellit rrinin midis degëve të tij dhe nga ai merrte ushqim çdo qenie e gjallë.

4:13 Ndërsa në shtratin tim vëreja vegimet e mendjes sime, ja një roje, një i shenjtë, zbriti nga qielli,

4:14 bërtiti fort dhe tha kështu: "Prisni drurin dhe këputni degët e tij, shkundni fletët e tij dhe shpërndani frytet e tij; le të largohen kafshët që rrijnë poshtë tij dhe shpendët nga degët e tij.

4:15 Lëreni ndërkaq në tokë cungun e rrënjëve të tij, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le të laget nga vesa e qiellit dhe le të ketë bashkë me kafshët pjesën e barit që i takon.

4:16 Zemra e tij le të ndryshojë, dhe në vend të një zemre njeriu t'i jepet një zemër kafshe dhe le të kalojnë mbi të shtatë kohë.

4:17 Kjo është dekretuar nga rojet dhe vendimi vjen nga fjala e të shenjtëve në mënyrë që të gjallët të dijnë që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve; ai ia jep atij që dëshiron dhe larton mbi të të keqin e të këqijve".

4:18 Kjo është ëndrra që kam parë unë, mbreti Nebukadnetsar. Tani ti, Beltshatsar, jepi interpretimin, sepse asnjë nga të diturit e mbretërisë sime nuk është në gjendje të më bëjë të njohur interpretimin e saj; por ti mundesh, sepse fryma e perëndive të shenjta është te ti".

4:19 Atëherë Danieli, emri i të cilit është Beltshatsar, mbeti për një çast i tmerruar dhe mendimet e tij e shqetësonin. Mbreti filloi të thotë: "Beltshatsar, mos u turbullo as nga ëndrra as nga interpretimi

4:20 Druri që ti ke parë, që ishtë bërë i madh dhe i fortë, maja e të cilit arrinte deri në qiell dhe që dukej nga të gjitha skajet e dheut,

4:21 gjethnaja e të cilit ishte e bukur, fryti i bollshëm, dhe ku gjenin strehë kafshët e fushave dhe mbi degët e së cilës bënin folenë zogjtë e qiellit,

4:22 je ti, o mbret, që u bëre i madh dhe i fortë; madhështia jote është rritur dhe ka arritur deri në qiell dhe sundimi yt deri në skajet e dheut.

4:23 Sa për rojen, një i shenjtë, që mbreti e ka parë të zbresë nga qielli dhe të thotë: "Priteni drurin dhe shkatërrojeni, por lini në tokë cungun me rrënjë, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le ta lagë vesa e qiellit dhe le të ketë pjesën e tij bashkë me kafshët e fushave deri sa të kalojnë mbi të shtatë kohë".

4:24 Ky është interpretimi, o mbret; ky është dekreti i Shumë të Lartit, që është lëshuar për mbretin, zotin tim;

4:25 ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë bashkë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të lagesh nga vesa e qiellit; do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron.

4:26 Sa për urdhrin për të lënë cungun me rrënjë, kjo do të thotë se mbretëria jote do të rivendoset, mbasi të kesh pranuar që është qielli ai që sundon.

4:27 Prandaj, o mbret, prano këshillën time: jepu fund mëkateve të tua duke praktikuar drejtësinë dhe paudhësive të tua duke treguar mëshirë ndaj të varfëve; ndofta begatia jote do të zgjasë".

4:28 E tërë kjo i ndodhi mbretit Nebukadnetsar.

4:29 Dymbëdhjetë muaj më vonë, ndërsa shëtiste në pallatin mbretëror të Babilonisë,

4:30 mbreti filloi të thotë: "Nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë ndërtova si seli mbretërore me forcën e pushtetit tim dhe për lavdinë e madhërisë sime?".

4:31 Këto fjalë ishin akoma në gojë të mbretit, kur një zë zbriti nga qielli: "Ty, o mbret Nebukadnetsar, të shpall: mbretëria jote të është hequr;

4:32 ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron.

4:33 Në po atë çast fjala lidhur me Nebukadnetsarin u realizua. Ai u dëbua nga njerëzia, hëngri bar si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, deri sa flokët e tij u rritën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë e tij si kthetrat e shpendëve.

4:34 "Në fund të kësaj kohe, unë Nebukadnetsari ngrita sytë nga qielli dhe arsyeja m'u kthye, e bekova Shumë të Lartin dhe lëvdova dhe përlëvdova atë që rron përjetë, sundimi i të cilit është një sundim

4:35 Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t'ia ndalë dorën ose t'i thotë: "Çfarë po bën?".

4:36 Në po atë kohë m'u kthye arsyeja, dhe për lavdinë e mbretërisë sime m'u kthyen madhëria ime dhe shkëlqimi im. Këshilltarët e mi dhe të mëdhenjtë e mi më kërkuan, dhe unë u rivendosa në mbretërinë time dhe madhështia ime u rrit jashtëzakonisht.

4:37 Tani, unë Nebukadnetsari lëvdoj, lartësoj dhe përlëvdoj Mbretin e qiellit, sepse të gjitha veprat e tij janë të vërteta dhe rrugët e tij janë drejtësi; ai ka pushtet të poshtërojë ata që ecin me kryelartësi.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase

Hosted by Webnet77.com