BibleDatabase

FREE Bibles and Bible Study Software Downloads Christian Web Hosting

BibleDatabase

 

 

  Christian Web Hosting
Christian Web Hosting
 
 

 

SITE NAVIGATION - CHOOSE A LINK
HOME DOWNLOADS MESSAGE BOARD BIBLE SEARCH LINK TO US WEBMASTER TOOLS
HELP MP3 BIBLE TELL A FRIEND ONLINE BIBLES WHAT'S NEW CHRISTIAN LINKS
SITE MAP SCREENSHOT GUEST BOOK BELIEF CHRISTIAN WEB HOSTING ADD URL

Main Index: Albanian Bible UTF8

 

2 Kings 9

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25]

9:1 Atëherë profeti Eliseu thirri një nga dishepujt e profetëve dhe i tha: "Ngjesh brezin, merr me vete këtë enë të vogël me vaj dhe shko në Ramoth të Galaadit.

9:2 Kur të arrish aty, kërko të takosh Jehun, birin e Jozafatit, që është bir i Nimshit; hyrë në dhomë, merre nga mesi i vëllezërve të tij dhe çoje në një dhomë të veçantë.

9:3 Do të marrësh pastaj enën e vogël me vaj dhë do ta derdhësh mbi kokën e tij, duke thënë: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit". Pastaj hape portën dhe mbathja pa humbur kohë".

9:4 Atëherë i riu, shërbëtori i profetit, u nis për në Ramoth të Galaadit.

9:5 Kur arriti aty, i gjeti kapitenët e ushtarët të ulur bashkë dhe tha: "Kam një kumtesë për ty, o kapiten". Jehu e pyeti: "Për cilin prej nesh?". Ai u përgjigj: "Për ty, kapiten".

9:6 Atëherë u ngrit dhe hyri në shtëpi; i riu i derdhi vajin mbi kryet, duke i thënë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të vajos mbret të popullit të Zotit, të Izraelit.

9:7 Ti do të godasësh shtëpinë e Ashabit, zotit sate, kështu do të marr hak për gjakun që kanë derdhur profetët, shërbëtorë të mi, dhe për gjakun e tërë shërbëtorëve të Zotit, që është derdhur nga dora e Jezebelit.

9:8 Tërë shtëpia e Ashabit do të shuhet dhe unë do të shfaros nga kjo shtëpi tërë meshkujt, skllevër apo të lirë, që janë në Izrael.

9:9 Kështu do ta katandis shtëpinë e Ashabit si shtëpinë e Joreboamit, birit të Nebatit, dhe si atë të Baashas, birit të Ahijahut.

9:10 Qentë do të hanë Jezebelin në fushën e Jezreelit, dhe nuk do të ketë njeri që ta varrosë"". Pastaj i riu hapi portën dhe iku me vrap.

9:11 Kur Jehu doli nga shërbëtorët e zotit të tij, një nga këta e pyeti: "A shkon çdo gjë mirë? Pse ai i marrë erdhi te ty?". Ai u përgjigj: "Ju e njihni njeriun dhe fjalët e tij!".

9:12 Por ata thanë: "S'është e vërtetë! Na e thuaj, pra!". Jehu u përgjigj: "Ai më tha kështu e ashtu, duke deklaruar: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit"".

9:13 Atëherë ata shpejtuan të merrnin secili mantelin e tij dhe ta shtrijnë poshtë tij në po ato shkallëza; pastaj i ranë borisë dhe thanë: "Jehu është mbret!".

9:14 Kështu Jehu, bir i Josafatit, që ishte i biri i Nimshit, kurdisi një komplot kundër Joramit. (Por Jorami, me tërë Izraelin, ishte duke mbrojtur Ramothin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë;

9:15 pastaj mbreti Joram ishte kthyer nga Jezreeli për të shpëtuar plagët që i kishin shkaktuar Sirët ndërsa luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë). Jehu tha: "Në rast se mendoni në të njëjtën mënyrë, asnjeri të mos dalë nga qyteti për të njoftuar Jezreelin".

9:16 Pastaj Jehu hipi mbi një qerre dhe u nis për në Jezreel, sepse aty ndodhej i sëmurë Jorami, dhe Ashaziahu, mbret i Judës, kishte zbritur për të vizituar Joramin.

9:17 Roja që rrinte mbi kullën e Jezreelit vuri re ushtrinë e madhe të Jehut që vinte dhe tha: "Shoh një grumbull të madh!". Jorami urdhëroi: "Merr një kalorës dhe çoje t'i takojë për t'i pyetur: "A sillni paqen?"".

9:18 Atëherë një njeri i hipur mbi kalë u doli përpara dhe u tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqe?"". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë". Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari arriti tek ata, por nuk po kthehet".

9:19 Atëherë Jorami dërgoi një kalorës të dytë, i cili me të arritur tek ata, tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqen?". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë".

9:20 Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari ka arritur tek ata, por nuk po kthehet. Mënyra e të ngarit të qerres është ajo e Jehut, birit të Nimshit, sepse e nget si i çmëndur".

9:21 Atëherë Jorami tha: "Përgatitni qerren!". Kështu i përgatitën qerren. Pastaj Jorami, mbret i Izraelit dhe Ashaziahu, mbret i Judës, dolën secili me qerren e vet për t'i dalë përpara Jehut dhe e gjetën në fushën e Nabothit të Jezreelit.

9:22 Kur Jorami pa Jehun, i tha: "A sjell paqen, Jehu?". Jehu u përgjigj: "Ç'paqe mund të ketë deri sa vazhdojnë kurvëritë e nënës sate Jezebel dhe magjitë e shumta të saj?".

9:23 Atëherë Jorami e ktheu drejtimin e qerres dhe iku me vrap duke i thënë Ashaziahut: "Tradhëti, Ashaziah!".

9:24 Por Jehu e ndau harkun me të gjithë forcën e tij dhe e goditi Joramin midis shpatullave; shigjeta i shpoi zemrën dhe ai u plandos në qerren e tij.

9:25 Pastaj Jehu i tha Bidkarit, ndihmësit të tij: "Merre dhe hidhe në kampin e Nabothit të Jezreelit sepse më kujtohet, kur ti dhe unë shkonim me kalë bashkë me suitën e Ashabit, atit të tij, Zoti shqiptoi kundër tij këtë orakulli:

9:26 "Dje me siguri pashë gjakun e Nabothit dhe gjakun e bijve të tij", thotë Zoti, "dhe unë do të të shpërblej në po këtë fushë", thotë Zoti! Kape, pra, dhe hidhe në fushë, sipas fjalës së Zotit".

9:27 Duke parë këtë, Ashaziahu, mbret i Judës, iku me vrap nëpër rrugën e shtëpisë me kopsht, por Jehu, iu ndjek prapa dhe tha: "Bjerini, edhe atij me qerre". Dhe e gjuajtën në të përpjetën e Gurit, që është afër Ibleamit. Por ai iku në Megido, ku vdiq.

9:28 Atëherë shërbëtorët e tij e çuan mbi një qerre në Jeruzalem dhe e varrosën në varrin e tij bashkë me etërit e tij, në qytetin e Davidit.

9:29 Ashaziahu kishte filluar të mbretëronte mbi Judë, vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit.

9:30 Kur Jehu arriti në Jezreel, Jezebeli e mori vesh. Atëherë filloi të zbukurojë sytë, rregulloi flokët e doli në dritare për të parë.

9:31 Ndërsa Jehu po hynte në portë, ajo i tha: "A sjell paqen, Zimri, vrasës i zotit sate?".

9:32 Jehu ngriti sytë nga dritarja dhe tha: "Kush është me mua? Kush?". Dy ose tre eunikë dolën në dritare duke shikuar nga ai.

9:33 Ai tha: "Hidheni poshtë!". Ata e hodhën poshtë, dhe pak gjak i saj ra mbi murin dhe mbi kuajt; dhe Jehu kaloi mbi të.

9:34 Pastaj hyri brenda, hëngri dhe piu; në fund tha: "Shkoni të shihni atë grua të mallkuar dhe varroseni, sepse është bijë mbreti".

9:35 Shkuan, pra, ta varrosin, por gjetën prej saj vetëm kafkën, këmbët dhe pëllëmbët e duarve.

9:36 U kthyen t'i tregonin gjendjen Jehut, që tha: "Kjo është fjala e Zotit e shqiptuar me anë të shërbëtorit të tij Elia, Tishbitit, kur tha: "Qentë kanë për të ngrënë mishin e Jezebelit në fushën e Jezreelit;

9:37 kufoma e Jezebelit do të jetë në fushën e Jezreelit si pleh në sipërfaqen e tokës; kështu nuk do të mundin të thonë: Këtu prehet Jezebeli"".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase

Hosted by Webnet77.com