BibleDatabase

FREE Bibles and Bible Study Software Downloads Christian Web Hosting

BibleDatabase

 

 

  Christian Web Hosting
Christian Web Hosting
 
 

 

SITE NAVIGATION - CHOOSE A LINK
HOME DOWNLOADS MESSAGE BOARD BIBLE SEARCH LINK TO US WEBMASTER TOOLS
HELP MP3 BIBLE TELL A FRIEND ONLINE BIBLES WHAT'S NEW CHRISTIAN LINKS
SITE MAP SCREENSHOT GUEST BOOK BELIEF CHRISTIAN WEB HOSTING ADD URL

Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Exodus 10

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36] [37] [38] [39] [40]

10:1 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni; sepse e kam fortësuar zemrën e tij dhe zemrën e shërbëtorëve të tij, me qëllim që unë të mund të tregoj këto shenjat e mia në mes tyre,

10:2 dhe me qëllim që ti të mundësh t'u tregosh bijve të tu dhe bijve të bijve të tu gjërat e mëdha që kam bërë, duke vënë në lojë Egjiptasit, dhe shenjat e mia që kam bërë midis tyre, që të dini se unë jam Zoti".

10:3 Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: "Deri kur do të refuzosh të ulësh kokën para meje? Lëre popullin tim të shkojë që të mund të më shërbejë.

10:4 Sepse po refuzove ta lësh popullin tim të shkojë, që nesër do të sjell karkaleca në territorin tënd.

10:5 Dhe ato do të mbulojnë faqen e dheut, kështu që asnjeri nuk do të mund ta shohë tokën; dhe ato do të përpijnë edhe atë që ka mbetur, atë që ju ka lënë breshri, dhe do të përpinë çdo pemë që rritet për ju në fusha.

10:6 Dhe do t'i mbushin shtëpitë tuaja, shtëpitë e tërë shërbëtorëve të tu dhe shtëpitë e tërë Egjiptasve, diçka që as etërit e tu as etërit e etërve të tu nuk e kanë parë kurrë, nga dita që qenë mbi dhe deri në këtë ditë"". Me t'i thënë këto fjalë ktheu kurrizin dhe doli nga prania e Faraonit.

10:7 Pastaj shërbëtorët e Faraonit i thanë: "Deri kur ky njeri do të jetë pengesë për ne? Lëri këta njerëz të ikin, që t'i shërbejnë Zotit Perëndisë të tyre! Nuk e ke kuptuar akoma që Egjipti është shkatërruar?".

10:8 Kështu Moisiu dhe Aaroni u rikthyen te Faraoni; dhe ky u tha atyre: "Shkoni, shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj. Por kush janë ata që do të shkojnë?". Moisiu tha:

10:9 "Ne do të shkojmë me fëmijët tanë dhe me pleqtë tanë, me bijtë tanë dhe bijat tona; do të shkojmë me kopetë tona të bagëtive të imta dhe të trasha, sepse duhet të kremtojmë një festë kushtuar Zotit".

10:10 Faraoni u tha atyre: "Zoti qoftë me ju, kur unë do t'ju lë të ikni bashkë me fëmijët tuaj! Por kini kujdes se mos keni qëllime të këqia!

10:11 Jo, jo! Shkoni ju, burra, t'i shërbeni Zotit; sepse kjo është ajo që kërkoni". Dhe i dëbuan nga prania e Faraonit.

10:12 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi vendin e Egjiptit për karkalecat, me qëllim që ato të ngjiten dhe të mbulojnë vendin e Egjiptit dhe të përpijnë tërë bimësinë e vendit, tërë ato që ka lënë breshri".

10:13 Atëherë Moisiu zgjati bastunin e tij mbi vendin e Egjiptit; dhe Zoti ngriti një erë nga lindja mbi vendin tërë atë ditë dhe tërë natën; sa erdhi mëngjesi, era e lindjes solli karkalecat.

10:14 Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër.

10:15 Ato mbuluan faqen e tërë dheut, aq sa e nxinë dheun; përpinë tërë bimësinë e vendit dhe tërë pemët e drurëve që breshri kishte lënë; dhe nuk mbeti asgjë e blertë mbi drurët dhe shkurrëzat e fushës, në tërë vendin e Egjiptit.

10:16 Atëherë Faraoni thirri me nxitim Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Unë kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush.

10:17 Por tani të lutem, falmani mëkatin edhe një herë; dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë nga unë këtë mynxyrë vdekjeprurëse".

10:18 Dhe Moisiu doli nga Faraoni, dhe iu lut Zotit.

10:19 Pastaj Zoti ngriti një erë të kundërt, një erë nga perëndimi shumë të fortë, që i largoi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq. Nuk mbeti asnjë karkalec në tërë territorin e Egjiptit.

10:20 Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk i la bijtë e Izraelit të ikin.

10:21 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, me qëllim që të jetë errësirë në vendin e Egjiptit, errësirë që të mund të preket me dorë".

10:22 Dhe Moisiu e shtriu dorën e tij drejt qiellit, dhe u bë errësirë e madhe në tërë vendin e Egjiptit për tri ditë.

10:23 Njëri nuk shikonte tjetrin dhe asnjeri nuk lëvizi nga vendi ku ndodhej për tri ditë; por për të gjithë bijtë e Izraelit kishte dritë në banesat e tyre.

10:24 Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe i tha: "Shkoni, shërbejini Zotit, le të mbeten vetëm kopetë tuaja me bagëti të imët dhe të trashë; edhe fëmijët tuaj mund të vinë me ju".

10:25 Moisiu tha: "Ti duhet të na lejosh gjithashtu të marrim dhe disa fli dhe olokauste, që t'ia ofrojmë Zotit, Perëndisë tonë.

10:26 Edhe bagëtia jonë do të vijë me ne; nuk do të lëmë këtu as edhe një thua të saj, sepse do të marrim disa krerë për t'i shërbyer Zotit, Perëndisë tonë; dhe nuk e dimë me se do t'i shërbejmë Zotit, deri sa të arrijmë atje poshtë".

10:27 Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk deshi t'i linte të shkonin.

10:28 Atëherë Faraoni i tha Moisiut: "Qërohu nga unë! Ruhu se më del përpara, sepse ditën që do të më dalësh përpara do të vdesësh!".

10:29 Moisiu iu përgjigj: "Mirë e the; unë nuk do të të dal më përpara".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase

Hosted by Webnet77.com